“Teqball”, sporti që zhvillon bagazhin teknik, risia edhe në Rusi
Një prej risive të këtij Botërori në stërvitjen e kombëtareve dhe sidomos shumë e përhapur te Brazili, është “teqball”, një tavolinë paksa e ngjashme me atë të pingpongut, ku nuk luhet me raketë, por me këmbë, dhe që quhet “teqball”. Shumë prej skuadrave “Rusi 2018”, e sidomos ato me një nivel të lartë teknik, e kanë përqafuar këtë risi, që pak nga pak po shndërrohet dhe në një sport të veçantë, për të përmirësuar mbi të gjitha nivelin e tyre teknik, sidomos në pasimet në lojën në ajër. Që prej fillimit të Botërorit, dy tavolina “teqball” gjenden dhe në “fanzone” të Tiranës, në sheshin Skënderbej. Ardian Cani ishte personi që i solli për herë të parë në Shqipëri, për të promovuar jo vetëm një sport të ri, por dhe për të argëtuar të pranishmit gjatë Botërorit rus.
Një tendencë që mund të ndihmojë së tepërmi dhe klubet shqiptare, jo vetëm të futbollit, për të përmirësuar ndjeshëm bagazhin e tyre teknik, por dhe për të zhdërvjellësuar fizikun dhe cilësinë e pasimeve.
Si një disiplinë e re sportive, qëllimi është dhe krijimi i një federate të re sportive në vend, në mënyrë që “teqballi” të mos mbetet thjesht në përdorim të thjeshtë nga klubet e ndryshme sportive, por të shndërrohet vetë në një sport që mund të përqafohet nga shumë shqiptarë.
“Teqball”, një zbulim i vërtetë i teknologjisë futbollistike, që është bërë kaq shumë i dashur për të gjithë futbollistët e mëdhenj, aq sa nuk mungojnë dhe memet mbi të, sidomos për çastin kur bota zbuloi “teqball”.