Mbahet Kampionati Kombëtar 2025 në Tiranë

Kampionati Kombëtar i Teqball për vitin 2025 u zhvillua më 15 nëntor, në ambientet e fushave sportive të Parkut Kombëtar të Liqenit, të vëna në dispozicion nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e Bashkisë Tiranë. Mbështetja e drejtuesve të Agjencisë dhe angazhimi i stafit në terren mundësuan organizimin logjistik dhe mbarëvajtjen e plotë të kampionatit.
Në këtë kampionat morën pjesë 22 lojtarë të përzgjedhur nga 10 shoqata dhe akademi. Shkolla Jo-Publike “Kristaq Rama”, e cila tashmë disponon edhe tavolinën e Teqball, u përfaqësua për herë të parë në një kampionat kombëtar me dy lojtarë të rinj dhe të talentuar, Elion Sharon dhe Alges Topalli.
Lojtarët u ndanë me short në katër grupe, ndërsa dy vendet e para nga secili grup u kualifikuan për ndeshjet çerekfinale, duke vijuar më pas me fazat eliminatore.
Për të ofruar një eksperiencë arbitrimi në përputhje me standardet ndërkombëtare, Federata angazhoi arbitrin e certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Teqball, Saša Potpara nga Podgorica, Mali i Zi. Arbitrimi i tij rigoroz dhe i saktë gjatë ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale siguroi përfundimin e takimeve pa asnjë kontestim nga lojtarët.
Rezultatet përfundimtare të kampionatit
Surpriza e këtij kampionati ishte lojtari i Teqball Force, Filipo Mucaj, i cili, pavarësisht pjesëmarrjes së tij të parë në një kampionat kombëtar, arriti të shpallej nënkampion kombëtar. Në përfundim të eventit, titulli i Kampionit Kombëtar iu akordua sërish Klaudio Hoxhës, për të tretin vit radhazi. Krahas angazhimit të tij si sportist, Klaudio është mësues i edukimit fizik në një shkollë të njohur, e cila është e pajisur me tavolinë Teqball, si dhe instruktor crossfit dhe personal trainer.
Albumi i plotë fotografik nga eventi është i disponueshëm në faqen “Foto Galeri” të website-it të Federatës.